Një skandal duket se ka tronditur procesin zgjedhor në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi integritetin e institucioneve dhe transparencën e zgjedhjeve. Kuvendi i Shqipërisë, përmes një përgjigjeje të “manipuluar” ndaj një kërkese të Kryekomisionerit të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, dyshohet se ka shtrembëruar të dhënat për ndarjen e forcave politike në legjislaturë. Raporti zyrtar, i cili pretendon se Partia Socialiste është një forcë e vetme në Kuvend, minimizon faktin se Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka qenë një mbështetëse e vazhdueshme e mazhorancës, duke votuar pro programit të qeverisë dhe buxheteve nga 2021 deri më sot.
Por situata bëhet edhe më alarmante duke marrë parasysh që PSD-ja, ndonëse nominalisht parti opozitare, ka shërbyer si një “kartë rezervë” për qeverinë në momente kritike. Kjo skemë kompromenton balancat demokratike dhe ngre shqetësime për një garë të pabarabartë midis forcave politike. Në një kohë kur KQZ-ja supozohet të garantojë një proces të drejtë dhe transparent, kjo situatë vë në dyshim seriozitetin e sistemit zgjedhor. Mirwpo a është ky një rast i izoluar apo një tregues i një kulture më të thellë manipulimi politik? Ndërsa zgjedhjet afrojnë, skandale të tilla thellojnë mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe minojnë demokracinë shqiptare në themel.
