Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra ka shkaktuar reagime të forta politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, e cilësoi zhvillimin si një goditje direkte për kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se “sot u rrëzua qeveria më e korruptuar në Europë”.
Sipas Këlliçit, përpjekja e kryeministrit për të shpëtuar zëvendëskryeministren dështoi dhe vendimi i Kushtetueses shënon një kthesë të rëndësishme politike dhe morale.
“Gjykata Kushtetuese nuk ja doli të mbrojë të pandehurën Belinda Balluku. Kjo ndodhi falë reagimit qytetar, falë betejës së pandalshme të opozitës dhe falë presionit ndërkombëtar. Edi Rama sot është edhe ai në bankën e të akuzuarve”, u shpreh Këlliçi.
Ai theksoi se kryeministri ka bërë çdo përpjekje për të mbrojtur aferat e tij dhe të qeverisë, por sipas tij, vendimi i sotëm është një mesazh i qartë se pandëshkueshmëria po merr fund.
“Autokratët që vjedhin dhe shtypin popullin e tyre, sado të qëndrojnë mbi ligjin, një ditë bien. Vendimi i sotëm, edhe pse me vonesë dhe nën presion, është një hap më afër drejtësisë”, deklaroi deputeti demokrat.
Këlliçi paralajmëroi se beteja politike dhe institucionale nuk ka përfunduar, duke theksuar se tashmë Rama përballet me një zgjedhje të qartë: ose të lejojë drejtësinë të veprojë, ose të marrë mbi vete përgjegjësinë politike.
“Nëse Edi Rama rrëzon në Parlament kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, atëherë qytetarëve dhe opozitës u lind detyra ta rrëzojnë Edi Ramën me çdo mjet demokratik”, u shpreh ai, duke bërë thirrje për mobilizim dhe protestë.
