Gazetarja Anduena Llabani ka bërë një deklaratë të fortë, duke pohuar se kryeministri Edi Rama ka qenë së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një udhëtim që nuk është bërë publik zyrtarisht.
Duke folur në një emision televiziv, Llabani tha se Rama ka dëshmuar për llogari të drejtësisë amerikane dhe se gjatë qëndrimit në SHBA ka qenë i shoqëruar nga një avokat. Sipas saj, informacioni bazohet në burime të sigurta dhe nuk bëhet fjalë për spekulim apo interpretim personal.
Gazetarja sqaroi se nuk ka ende të dhëna të konfirmuara nëse kryeministri ka udhëtuar me avion privat apo me linjë tregtare, por theksoi se thelbi i informacionit është i saktë. Ajo shtoi se kushdo që ka prova për ta përgënjeshtruar këtë deklaratë, mund ta bëjë publikisht.
Llabani e lidhi këtë zhvillim me hetimet që kanë pasuar çështjen McGonigal, e cila ka pasur ndikim edhe në Shqipëri. Ajo kujtoi se pas lirimit të McGonigal nga drejtësia amerikane në nëntor të vitit të kaluar, ka pasur komunikime zyrtare mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane.
Sipas saj, disa persona janë marrë në pyetje për këtë çështje, ndërsa deri më tani kryeministri nuk kishte dëshmuar. Deklarata e fundit, theksoi Llabani, shërben për të informuar opinionin publik mbi arsyen reale të udhëtimit të Ramës në SHBA dhe ngre pikëpyetje mbi mungesën e transparencës nga ana e qeverisë.
