Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, Indrit Cerloj, pas arratisjes së bujshme të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit.
Vendimi vjen pas hetimeve paraprake që zbuluan shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë gjatë shoqërimit të të paraburgosurit për vizitë mjekësore. Paralelisht me shkarkimin e drejtorit, katër zyrtarë të burgut janë arrestuar, mes tyre zëvendësshefi i policisë së burgut, Dezdemon Pazaj, një punonjës i Policisë së Burgjeve si dhe kryeinfermieri Aulon Quku.
Sipas autoriteteve, zyrtarët e arrestuar akuzohen për shkelje të rënda të detyrës, pasi nuk kanë respektuar procedurat ligjore të shoqërimit dhe nuk kanë njoftuar drejtuesit e institucionit apo Policinë e Shtetit për itinerarin e lëvizjes së të paraburgosurit.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se më 13 janar 2026, Altin Ndoci ka kryer një konsultë mjekësore brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, ku mjeku i burgut ka rekomanduar vizitë te mjeku kirurg në Spitalin Rajonal të Durrësit. Shoqërimi ishte planifikuar sipas itinerarit standard: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP.
Gjatë trajtimit mjekësor në pavionin infektiv, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Në këtë moment, sipas njoftimit zyrtar, ai ka kundërshtuar shoqërimin, ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë së burgjeve dhe ka arritur të largohet, duke u arratisur.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit, si dhe për identifikimin e përgjegjësive të tjera institucionale në këtë rast.
