Një shpërthim i rëndë ka tronditur mesditën e së premtes qytetin Grenoble në Francë, pasi një granatë është hedhur brenda një salloni bukurie, duke lënë të plagosur gjashtë persona, mes tyre edhe një fëmijë pesëvjeçar.
Ngjarja ka ndodhur pak para orës 15:00, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar, ku sipas autoriteteve, një person ka hyrë në ambientet e sallonit dhe ka hedhur lëndën shpërthyese, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Të plagosurit kanë pësuar dëmtime nga vala goditëse e shpërthimit. Ata morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe, sipas informacioneve paraprake, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën. Fëmija i mitur ka qenë brenda ambientit në momentin e shpërthimit.
Si pasojë e shpërthimit, vitrina e sallonit u shkatërrua plotësisht, ndërsa zona u rrethua menjëherë nga forca të shumta policie. Salloni ndodhet në katin përdhes të një ndërtese banimi shumëkatëshe, mes dyqaneve të tjera tregtare, çka ka rritur shqetësimin për sigurinë publike.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk dihen motivet e sulmit dhe as identiteti i autorëve, të cilët janë ende në arrati.
