Rruga e Arbrit po shndërrohet në një rrezik serioz për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve. Pas problemeve të përsëritura në tunelin e Murrizit, situata është përkeqësuar ndjeshëm edhe në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos, ku rruga ka pësuar çarje të thellë dhe rrezikon shembjen totale.
Dëmtimi shtrihet në rreth 100 metra dhe ka prekur pjesën e poshtme të trupit të rrugës, duke shkaktuar çarje të asfaltit dhe shembje të murit mbrojtës. Specialistët paralajmërojnë se formacioni i tokës është i paqëndrueshëm dhe në këtë segment është dashur ndërtimi i pilotëve mbajtës, gjë që nuk është realizuar.
Alarmante është fakti se, pavarësisht rrezikut të lartë, nuk ka asnjë sinjalistikë paralajmëruese për drejtuesit e mjeteve, duke e kthyer këtë aks në një kurth të hapur për aksidente të rënda.
Probleme serioze janë evidentuar edhe në fshatin Maricë, pranë tunelit të Murrizit, ku skarpata është çarë dhe shembur, duke rrezikuar bllokimin e plotë të qarkullimit. Deformime të asfaltit raportohen gjithashtu në segmentin nga tunelet e Shkallës së Xibrit deri te tuneli i Murrizit.
Rruga e Arbrit, e promovuar si një nga veprat më të mëdha infrastrukturore, po dëshmon çdo ditë dështimin e ndërtimit dhe mungesën e standardeve të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
