Disa lëkundje sizmike u regjistruan mbrëmjen e 4 shkurtit në zonën e Korçës, ku më e forta arriti magnitudën 4.1 të shkallës Rihter. Lëkundjet janë ndjerë nga banorët, por nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Sizmiologu Rrapo Ormëni, në një lidhje televizive, sqaroi se juglindja e vendit është një zonë e njohur për aktivitet sizmik ndër vite. Ai kujtoi se në këtë rajon janë regjistruar tërmete të forta edhe në të kaluarën, si ai i vitit 1960 me magnitudë 6 dhe tërmeti i vitit 1987 me magnitudë 5.2.
Sipas Ormënit, fakti që Korça konsiderohet zonë sizmike nënkupton dy elementë kryesorë: së pari, në këtë territor mund të ndodhin tërmete të forta, por me periudha të gjata përsëritjeje; së dyti, herë pas here shfaqen grumbuj tërmetesh të vegjël që zakonisht nuk shkaktojnë dëme.
I pyetur nëse thatësira apo kushtet klimatike kanë ndikim në aktivitetin sizmik, sizmiologu theksoi se nuk ka asnjë lidhje mes tyre. “Tërmetet janë procese të brendshme të tokës dhe lidhen me linjat tektonike, jo me kushtet klimatike,” u shpreh ai.
Ekspertët bëjnë thirrje për qetësi, duke theksuar se lëkundjet e regjistruara janë brenda parametrave normalë për këtë zonë dhe nuk përbëjnë shkak për alarm.
