Policia e Lezhës ka arrestuar një 34-vjeçar, i akuzuar për përfshirje në prodhimin e një sasie prej 92 kilogramësh lëndë narkotike Cannabis Sativa. Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet D. V., banues në fshatin Tresh.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Furia”, pas një hetimi proaktiv që ka zgjatur rreth dy vite dhe është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Lezhës.
Sipas policisë, 34-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i arrestuar më herët, ka prodhuar në tetor të vitit 2024 rreth 92 kg kanabis, të cilat u sekuestruan në një stallë në fshatin Gjonbardhaj, në zonën e Kashnjetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar tre mjete prerëse (thika), të cilat ai i posedonte pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
