Kryeministri Edi Rama është vënë në qendër të një sulmi të ashpër nga media turke pranë pushtetit të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, pas vizitës së tij të fundit në Izrael. Gazeta konservatore dhe proqeveritare “Yeni Akit” publikoi një artikull kritik, ku Rama portretizohet si një figurë e diskredituar politikisht dhe moralisht, duke e akuzuar se përdor politikën e jashtme për interesa personale.
Shkrimi, i firmosur nga gazetari Ayhan Demir, e cilëson Ramën si oportunist politik dhe pretendon se karriera e tij është ndërtuar me mbështetje të jashtme dhe jo mbi vullnetin real të qytetarëve shqiptarë. Sipas artikullit, vizita në Izrael nuk kishte lidhje me interesat kombëtare të Shqipërisë, por synonte të largonte vëmendjen nga hetimet dhe akuzat për korrupsion në vend.
Gazeta e akuzon Ramën se u rreshtua hapur në mbështetje të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke shmangur çdo kritikë për situatën në Gaza dhe duke fajësuar Hamasin për konfliktin. Deklaratat e Ramës në Parlamentin izraelit cilësohen si të papërshtatshme dhe fyese, ndërsa lavdërimet ndaj Netanyahut përshkruhen si të tepruara dhe të dëmshme për imazhin e Shqipërisë.
Sipas shkrimit, Rama kërkoi mbështetje politike dhe lobim ndërkombëtar për t’u mbrojtur nga drejtësia shqiptare dhe për të siguruar akses politik në Shtetet e Bashkuara. Artikulli thekson se lidhja mes Ramës dhe Netanyahut buron nga një element i përbashkët: përballja me akuza për korrupsion.
Në reagimet e përmendura nga gazeta, thuhet se në Shqipëri ka pasur pakënaqësi, veçanërisht në komunitetin mysliman, i cili ka deklaruar se Rama nuk flet në emër të tyre dhe nuk përfaqëson qëndrimet e tyre ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në përfundim, “Yeni Akit” e përshkruan kryeministrin shqiptar si një lider që, sipas saj, ka humbur kredibilitetin, reputacionin dhe frikën nga drejtësia, duke e konsideruar vizitën në Izrael si një veprim të motivuar nga interesa personale dhe jo shtetërore.
