Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin Flagstaff, në shtetin e Arizonës, ku dy efektivë të forcave të rendit kanë humbur jetën gjatë një operacioni policor për neutralizimin e një personi të armatosur.
Sipas autoriteteve, policia ishte njoftuar për një rast dhune në familje, por situata u përshkallëzua kur i dyshuari hapi zjarr ndaj forcave të rendit nga çatitë e disa banesave. Përplasja e armatosur zgjati rreth dy orë dhe kërkoi ndërhyrje të shtuar policore, përfshirë mbështetje ajrore.
Gjatë operacionit, një helikopter policie që monitoronte zonën nga ajri u rrëzua për shkaqe ende të paqarta. Si pasojë e rrëzimit, humbën jetën piloti dhe një oficer policie që ndodheshin në bord.
I dyshuari u arrestua rreth orës 22:20 sipas orës lokale dhe është transportuar në spital me plagë që nuk rrezikojnë jetën. Ende nuk dihet nëse ai është përgjegjës direkt për rrëzimin e helikopterit.
Autoritetet federale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit ajror dhe rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues politikë kanë shprehur ngushëllime për familjet e dy efektivëve që humbën jetën në krye të detyrës.
