“Shteti mban peng të vërtetën”, Artan Hoxha: Edhe në Shqipëri ka skandale si Epstein, provat janë mbyllur në kasafortë

Data

Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se edhe në Shqipëri ekzistojnë skandale të ngjashme me aferën Epstein, por ndryshe nga SHBA, provat nuk publikohen, pasi sipas tij mbahen të kyçura nga shteti për të ruajtur “ekuilibrat politikë” dhe për arsye të ashtuquajtura të sigurisë kombëtare.

I ftuar në një emision televiziv, Hoxha tha se materiale tejet komprometuese janë gjetur gjatë hetimeve në zyrën e Ergys Agasit dhe sot ndodhen në duart e prokurorisë speciale. Sipas tij, këto prova tregojnë se si veset personale të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë janë përdorur për shantazh dhe kontroll.

“A kemi skandale si ato që po dalin në Amerikë? Po, i kemi. Dhe janë këtu. I ka prokuroria jonë speciale,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se në Shqipëri ka persona që kanë ndërtuar pushtet duke filmuar, fotografuar dhe dokumentuar sjellje komprometuese të figurave të rëndësishme politike, shtetërore dhe të sigurisë kombëtare, për t’i mbajtur më pas nën presion.

Sipas Hoxhës, këto materiale janë përdorur si instrument shantazhi dhe si kusht për karrierë në hierarkinë shtetërore.

“U krijua një sistem ku, nëse do të ngjiteshe në karrierë, duhej të bëje kompromise të tilla. Të gjithë e dinë këtë, por publiku nuk ka provat,” tha ai.

Gazetari kujtoi se gjatë një kontrolli për kontrabandë cigaresh, hetuesit zbuluan një sasi të madhe materialesh digjitale, përfshirë hard disqe dhe dosje me përmbajtje tepër sensitive.

“Ajo kamerë ishte një sondë e futur thellë në brendësi të pushtetit. Na tregoi çfarë ndodhte realisht aty brenda,” u shpreh Hoxha.

Ai e cilësoi situatën tejet të rëndë, duke theksuar se në ato ambiente janë filmuar drejtues të lartë të vendit, njerëz që lidhen me sigurinë kombëtare dhe elitën politike.

“Pyetja është pse ishin atje? Sepse ishin të shantazhueshëm. Dhe kush ka qenë atje, mbetet i shantazhueshëm,” tha Hoxha.

Sipas tij, në ndryshim nga SHBA ku materialet u publikuan, në Shqipëri provat janë futur në kasafortë dhe po mbahen të fshehura me justifikimin se mund të tronditin stabilitetin politik dhe të cenojnë sigurinë kombëtare.

“Ne bëmë të kundërtën: i kapëm dhe i mbyllëm fort. Vetëm që të mos shpërthejë e vërteta,” përfundoi Hoxha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related