Prokuroria sekuestron dosjet e argjinaturës së Erzenit, hetim ndaj Bashkisë së Durrësit

Data

Prokuroria e Durrësit ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me ndërhyrjet e kryera në argjinaturën e lumit Erzen, pas përmbytjeve të rënda që prekën disa zona të qarkut dhe që sollën pasoja të rënda materiale, si edhe humbjen e një jete njerëzore.

Në kuadër të këtij hetimi, organi i akuzës ka sekuestruar në ambientet e Bashkisë së Durrësit të gjithë dokumentacionin që lidhet me projektin e rehabilitimit të argjinaturës së lumit Erzen. Bëhet fjalë për dosjen e plotë të procedurave të prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të punimeve, si dhe dokumentacionin tekniko-ligjor për lejen e ndërtimit të këtij objekti.

Hetimet janë regjistruar pas përmbytjeve masive të shkaktuara nga dalja e lumit Erzen nga shtrati, të cilat prekën rëndë zonat e Katundit të Ri, Katund Sukthit dhe Fllakës. Në këto zona u raportuan dëme të shumta në banesa, tokë bujqësore dhe infrastrukturë, ndërsa një person humbi jetën.

Prokuroria e Durrësit po heton për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim prone me përmbytje” dhe “Shkatërrim prone nga pakujdesia”, për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale dhe ligjore lidhur me punimet e kryera në argjinaturë.

Sekuestrimi i dokumenteve është kryer me urdhër të Prokurorisë dhe veprimet janë ekzekutuar nga oficeri i policisë gjyqësore, duke u shoqëruar me procesverbalin përkatës, i cili i është bashkëngjitur fashikullit hetimor. Një kopje e vendimit i është vënë në dispozicion përfaqësuesve përgjegjës të Bashkisë së Durrësit.

Në vendimin e firmosur nga prokurorja e çështjes, Suela Beluli, theksohet se subjektet apo personat të cilëve u janë sekuestruar dokumentet kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related