Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe veprimet e mazhorancës përballë kërkesave të drejtësisë.
I ftuar në një studio televizive, Bylykbashi u shpreh se mjafton leximi i dosjes në Këshillin e Mandateve për të kuptuar seriozitetin e situatës. Sipas tij, relacioni i prokurorit është tronditës dhe tregon një mënyrë të sëmurë funksionimi të shtetit.
“Kur lexon relacionin e prokurorit, vë duart në kokë. Të duket e pabesueshme si mund të funksionojë shteti në këtë mënyrë,” u shpreh ai.
Bylykbashi deklaroi se opozita ka kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, por kryetari i Kuvendit ka refuzuar ta thërrasë, duke bllokuar procesin. Sipas tij, kjo po bëhet me urdhër politik për të fituar kohë dhe për të penguar drejtësinë.
Ai theksoi se Prokuroria ka kërkuar masë arresti dhe ka kërkuar një vendim të shpejtë, pasi ekziston rreziku i dëmtimit të hetimeve dhe provave. Megjithatë, mazhoranca po e zvarrit çështjen drejt afatit tre mujor, çka sipas rregullores sjell rënien automatike të kërkesës.
“Kjo është një zvarritje e qëllimshme. Parlamenti është kthyer në një mburojë për pushtetin,” përfundoi Bylykbashi.
