Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai qëndroi për rreth tre orë në ambientet e SPAK, ku u mor në pyetje nga prokurorët.
Në daljen e tij përpara mediave, Golemi sqaroi se është thirrur në cilësinë e personit në dijeni dhe se ka dhënë deklaratë për një çështje që lidhet me një institucion në varësi të Bashkisë së Gjirokastrës.
“Dhashë një deklaratë si person në dijeni për një çështje që ka të bëjë me një institucion të bashkisë Gjirokastër”, u shpreh ai shkurtimisht.
Kryebashkiaku nuk dha detaje të tjera lidhur me natyrën e çështjes apo me personat e përfshirë, ndërsa nga ana e SPAK deri më tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar mbi arsyet e thirrjes së tij.
