Platforma sociale TikTok është rihapur zyrtarisht në Shqipëri pas rreth një viti bllokimi. Qeveria shqiptare ka reaguar publikisht duke bërë me dije se masat e përkohshme për ndalimin e aksesit janë hequr, ndërsa thekson se tashmë janë vendosur mekanizma të rinj sigurie që më parë nuk ekzistonin.
Sipas njoftimit zyrtar, aksesimi në TikTok është i plotë për të gjithë përdoruesit, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë hyrë në një fazë të re bashkëpunimi me përfaqësuesit e platformës. Ky bashkëpunim përfshin filtra mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrolle më të forta të përmbajtjes, si dhe mënyra më efikase për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve.
Kryeministria sqaron se vendimi për rihapjen e TikTok erdhi pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Masa e bllokimit, e miratuar në mars të vitit 2025, ishte konceptuar si një ndërhyrje parandaluese në funksion të mbrojtjes së interesit publik.
Në reagim thuhet se ky vendim shënon kalimin nga një qasje kufizuese drejt një faze monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.
Paralelisht, autoritetet po punojnë për hartimin e një plani të posaçëm komunikimi dhe ndërgjegjësimi, i cili do të fokusohet te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit. Qëllimi i këtij plani është promovimi i përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, si dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.
Kujtojmë se vendimi për bllokimin e TikTok u mor pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar, një ngjarje e rëndë që kishte nisur pas një konflikti në rrjetet sociale. Vendimi u konsultua asokohe me prindër dhe mësues, ndërsa gjatë periudhës së ndalimit një pjesë e përdoruesve vijuan aksesin përmes VPN-ve.
Me rihapjen e platformës, TikTok është tashmë i disponueshëm për rreth 1.5 milion përdorues shqiptarë.
