Katër persona janë proceduar penalisht nga Policia e Korçës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit bëri me dije se materialet janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për dy shtetas të cilët u kapën duke tentuar të dilnin nga Shqipëria drejt Greqisë me vula të dyshuara false në pasaporta.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasit S. M., 60 vjeç dhe L. I., 64 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë. Gjatë verifikimeve në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, autoritetet konstatuan në pasaportat e tyre nga një vulë e shtetit grek, e dyshuar si e falsifikuar. Për ta ka nisur procedimi penal për veprën penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Po ashtu, janë proceduar edhe dy shtetas të tjerë për veprën penale “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. A. R., 23 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, Prrenjas, dyshohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut, ndërsa V. N., 50 vjeç, banues në fshatin Luf, Pukë, dyshohet se ka tentuar të kalojë ilegalisht kufirin drejt Greqisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
