Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj kompanisë ndërtuese 2T dhe pronarit të saj Artan Sako, duke deklaruar se kjo kompani ka përfituar rreth 300 milionë euro nga fondet publike për ndërtimin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë.
Sipas Berishës, e njëjta kompani ka ndërtuar edhe pallatin që ai e cilëson si “pajë” të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit. Ai pretendon se për këtë pallat nuk ekziston asnjë faturë apo dokument financiar, tatimor apo mjedisor që të justifikojë burimin e parave.
Berisha deklaroi se pallati është ndërtuar në tokën e familjes Basha, por në kundërshtim me çdo kusht urbanistik, duke shtuar se bëhet fjalë për një objekt me pesë kate mbi tokë dhe kate nëntokësore, pa transparencë financiare.
Ai rikujtoi se në momentin kur ky rast u denoncua publikisht dhe nisi verifikimi institucional për origjinën e pasurisë, kryeministri shkarkoi menjëherë zyrtaren përgjegjëse të institucionit përkatës.
Sipas Berishës, kostoja reale e rrugës Qukës–Qafë Plloçë ishte fillimisht parashikuar rreth 73 milionë dollarë, por përfundimisht u shumëfishua, duke u kthyer në një nga aferat më të shtrenjta infrastrukturore në vend.
Ai e cilësoi këtë rast si pjesë të asaj që e quajti “mafia e Surrelit”, duke pretenduar se fondet publike janë përdorur për interesa private dhe të ndara mes kompanive ndërtuese dhe pushtetit politik.
Në përfundim, Berisha deklaroi se kjo aferë duhet të hetohet deri në fund dhe se shqiptarët, sipas tij, kanë paguar “më shtrenjtë se frëngu pulën” për projekte që simbolizojnë korrupsionin e qeverisë aktuale.
