Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës kanë zhvendosur para Prokurorisë së Posaçme protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonë, duke kërkuar drejtësi dhe ndërhyrje urgjente nga SPAK.
Ata akuzojnë se pronat e tyre janë grabitur përmes falsifikimit të dokumenteve dhe se ndërtimi po kryhet mbi toka të trashëguara prej brezash. Sipas banorëve, SPAK është i vetmi institucion ku kanë ende besim për të hetuar çështjen në mënyrë të paanshme.
“Duam drejtësi, duam drejtësi”, ishte thirrja e vazhdueshme e protestuesve, të cilët rikujtuan se një vit më parë kanë depozituar kallëzim penal për falsifikim dokumentesh. Kallëzimi, sipas tyre, është kaluar për moskompetencë në Prokurorinë e Shkodrës, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Banorët pretendojnë se një shtetas, përmes dokumenteve të falsifikuara, ka përvetësuar tokat e tyre dhe më pas ia ka shitur biznesmenit që po ndërton resortin turistik me 5 yje. Ata shtojnë se zona ishte e shpallur e mbrojtur dhe se për banorët legalizimet janë refuzuar me këtë justifikim, ndërsa për projektin e resortit statusi i zonës është ndryshuar.
Një nga protestuesit deklaroi se familja e tij zotëron pronën që prej vitit 1935 dhe se banorët kanë jetuar aty prej më shumë se 200 vitesh, ndërkohë që një person tjetër ka dalë si pronar vetëm në vitin 2019. Sipas tij, dokumentet e vjetra janë shpallur të pavlefshme, ndërsa pronësia i është njohur një pale pa dokumentacion të plotë.
Banorët kërkojnë që SPAK të marrë përsipër hetimin e plotë të çështjes, të ndalojë punimet dhe të verifikojë ligjshmërinë e dokumenteve të pronësisë, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në zgjidhjen e problemit.
