Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, i marrë i pandehur si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal për hakerimin e SPAK-ut, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime bëjnë me dije se sot po zhvillohet seanca paraprake, ku pritet të vendoset nëse çështja do të kalojë për gjykim.
Agim Ismaili akuzohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një strukture kriminale që ka ndërhyrë në sistemet informatike të SPAK-ut, duke rrezikuar sigurinë e të dhënave dhe proceset hetimore të drejtësisë.
Seanca paraprake do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të procesit penal ndaj ish-zyrtarit të lartë.
