Banorët në SPAK kërkojnë ndalimin e punimeve të resortit në Rrjoll/ I pranishëm Redi Muçi dhe Partia “Mundësia”

Data

Pas tre ditësh protesta në zonën e Rrjollit të Velipojës, banorët e këtij fshati janë paraqitur sot pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve për ndërtimin e një resorti turistik në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.

Banorët pretendojnë se ndërtimi po kryhet mbi tokat e tyre të trashëguara prej brezash, duke e cilësuar projektin si grabitje prone dhe shkelje të rëndë të ligjit. Ata shprehen se dokumentacioni mbi pronësinë është falsifikuar dhe se institucionet shtetërore nuk kanë reaguar pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme.

Në mbështetje të protestuesve ishte i pranishëm edhe deputeti Redi Muçi, së bashku me përfaqësues të Partisë “Mundësia”, të cilët u rreshtuan krah banorëve duke kërkuar hetim të plotë dhe ndërprerje të punimeve deri në sqarimin ligjor të pronësisë.

Kjo është hera e dytë që banorët e Baks-Rrjollit paraqiten në SPAK. Më 25 mars të vitit të kaluar, ata depozituan një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese, si dhe ndaj personave që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokave ku po zhvillohet investimi.

Protestuesit shprehen se SPAK-u është shpresa e fundit për të ndalur atë që ata e quajnë një skemë të organizuar grabitjeje pronash, ndërsa paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe ndjekjen ligjore deri në rikthimin e tokave që u përkasin me të drejtë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related