Protesta e banorëve të Velipojës përpara SPAK kundër resortit të Bashkim Ulajt, avokati: Grabitje pronash!

Data

Tensionet rreth ndërtimit të një resorti turistik në zonën Baks–Rrjoll të Velipojës janë zhvendosur ditën e sotme përpara dyerve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku dhjetëra banorë kanë protestuar duke akuzuar për grabitje pronash, ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Banorët, të shoqëruar nga përfaqësuesit e tyre ligjorë, kërkojnë ndërhyrjen e SPAK për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe hetim të plotë penal ndaj kompanisë ndërtuese, e cila ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e resortit.

Sipas avokatëve të banorëve, prej më shumë se një viti është depozituar një kallëzim penal në SPAK, por çështja është transferuar në Prokurorinë e Shkodrës, ku hetimet, sipas tyre, kanë mbetur në vend pa asnjë transparencë apo informacion për palët.

Avokatët bëjnë me dije se janë në zhvillim dy procese paralele: një padi civile për grabitjen e pronave dhe një kallëzim penal për ndërtim pa leje, korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikim dokumentesh, të kryera, sipas tyre, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Në qendër të akuzave ndodhet kompania “Gener 2”, e cila, sipas banorëve, po kryen punime pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacion të rregullt pronësie.

Një nga përfaqësuesit ligjorë, avokati Ndue Pjetri, deklaroi se punimet po vazhdojnë në mënyrë të dhunshme, duke përdorur forcat e Policisë së Shtetit për të hyrë në pronat e banorëve. Ai theksoi se janë njoftuar vazhdimisht institucionet përgjegjëse si IKMT dhe IMT, por asnjë prej tyre nuk ka shkuar në terren për të verifikuar dokumentacionin apo ligjshmërinë e ndërtimit.

“Grabitja e pronave ekziston. Jemi në gjyq civil dhe kemi bërë kallëzim penal. Kompania vazhdon ndërtimin pa leje, ndërsa institucionet heshtin. Nëse gjithçka do ishte në rregull, banorët do ishin larguar që ditën e parë,” deklaroi avokati.

Sipas tij, fakti që kompania ka kërkuar takime me banorët dhe u ka ofruar përfitime të paligjshme për t’i bindur të largohen, tregon se ajo nuk është pronare e ligjshme e tokës. Banorët pretendojnë se këto toka janë të trashëguara prej mbi 100 vitesh dhe u janë sekuestruar padrejtësisht në periudha të mëparshme historike.

Avokati hodhi dyshime të forta edhe mbi lidhjen mes statusit strategjik të resortit dhe ndërtimit të autostradës në zonë, duke e cilësuar këtë si pjesë të një skeme më të gjerë favorizimi. Ai ngriti shqetësimin për standarde të dyfishta, ku qytetarët e thjeshtë ndëshkohen për ndërhyrje minimale, ndërsa një kantier prej rreth 146 hektarësh operon pa leje, pa tabela informuese dhe pa procedura ligjore.

Banorët e Baks–Rrjollit shprehen se SPAK është shpresa e tyre e fundit, por njëkohësisht ngrenë shqetësimin për ritmin e ngadaltë të drejtësisë. Ata paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe betejën ligjore deri në rikthimin e pronave të tyre dhe zbardhjen e plotë të asaj që e cilësojnë si një skemë grabitjeje pronash me mbështetje institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related