Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim tre persona të akuzuar për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të fajdesë, duke dhënë mbi 200 mijë euro hua me interesa të larta dhe duke përvetësuar pasuri me vlerë shumë herë më të madhe se shumat e dhëna.
Sipas organit të akuzës, një prej të pandehurve ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, por pavarësisht kësaj, gjatë ditës largohej nga banesa për të vijuar aktivitetin kriminal. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia dhe prokuroria sekuestruan një sasi të madhe sendesh dhe dokumentesh, përfshirë kontrata noteriale shitblerjeje për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kontrata dhurimi, hipoteke dhe pengu.
Në total u sekuestruan rreth 92 dokumente dhe sende të ndryshme, si dhe mjete identifikimi, telefona celularë, çelësa automjetesh dhe disa automjete të gjetura brenda dhe jashtë oborrit të banesës. Hetimet tregojnë se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vendosnin si garanci reale pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke përdorur hipoteka dhe pengje, me afate shumë të shkurtra kthimi, zakonisht tre mujore.
Pa qenë të pajisur me licencë nga Banka e Shqipërisë, ata kryenin veprimtari të mirëfilltë kredidhënieje, duke lëvizur shuma të konsiderueshme parash dhe duke përfituar prona në rastet kur huamarrësit nuk arrinin të shlyenin borxhin. Nga hetimet rezulton se vlera e pasurive të paluajtshme të përvetësuara është shumë herë më e madhe se shuma e dhënë në formë borxhi.
Në disa raste, për shuma relativisht të vogla, që varionin nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, si garanci janë vendosur automjete dhe pasuri të tjera me vlerë shumë më të lartë, të cilat më pas janë kaluar në pronësi të të pandehurve. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, kjo skemë është përdorur në mënyrë të përsëritur ndaj një numri të konsiderueshëm personash.
Prokuroria thekson se kemi të bëjmë me një rast të rëndë të ushtrimit të fajdesë dhe përvetësimit të pasurive, ku përfitimet e të pandehurve janë realizuar përmes shfrytëzimit të gjendjes së vështirë ekonomike të viktimave. Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa hetimet kanë dokumentuar prova të mjaftueshme për dërgimin e tre personave në proces gjyqësor.
