Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te largimi nga detyra i ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi u shpreh se shkarkimi i Spiropalit erdhi pas një mandati shumë të shkurtër në krye të diplomacisë shqiptare dhe pa ndonjë skandal publik gjatë kohës që ajo mbajti detyrën.
Ai komentoi gjithashtu deklaratat e bëra një ditë më parë në Parlament nga kryeparlamentari Niko Peleshi, duke aluduar se edhe ai është pjesë e një grupi të cilin e quajti “anglishtfolësit” brenda Partisë Socialiste.
Sipas Këlliçit, brenda Partia Socialiste e Shqipërisë ekzistojnë grupe të ndryshme që nuk janë gjithmonë në një linjë me vendimmarrjen e kryeministrit Edi Rama.
“Të themi që gjithë socialistët janë njësoj nuk është e vërtetë. Ka njerëz që nuk janë dakord me vendimmarrjen e Ramës. Do të mjaftohem vetëm me Niko Peleshin dhe Elisa Spiropalin si pjesë e grupit të ‘anglishtfolësve’”, deklaroi ai.
Këlliçi shtoi se ky grup është më i gjerë dhe përfshin figura që, sipas tij, mbajnë qëndrime të ndryshme nga linja e kryeministrit, ndërsa në krahun tjetër ai përmendi se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i përket një grupi tjetër brenda mazhorancës.
Deputeti demokrat aludoi gjithashtu se largimi i Spiropalit mund të lidhet edhe me kontaktet e saj ndërkombëtare, duke përmendur aksesin e saj në qarqe vendimmarrëse në Gjermani, përfshirë një klub influent në Berlin.
Në fund të deklaratës së tij, Këlliçi përmendi edhe qëndrimet e disa zyrtarëve gjermanë për çështjet e korrupsionit në Shqipëri, duke iu referuar deklaratave të David McAllister lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
