Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për katër persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me tregti të paligjshme armësh zjarri, të cilat promovoheshin dhe reklamoheshin në rrjete sociale dhe platforma dixhitale.
Të arrestuarit janë Glorian Nezaj, Rezarto Rumi, Klevin Caushi dhe Ardian Caushi. Sipas Prokurorisë, ata shisnin armë zjarri me çmime të larta, ku një pistoletë tip “Glock” arrinte vlerën deri në 5 mijë euro. Armët ekspozoheshin përmes videove dhe komunikimeve online për të tërhequr blerës të mundshëm.
Hetimet nisën pas identifikimit të disa komunikimeve të dyshimta në rrjetet sociale, përfshirë një video ku shfaqeshin dhjetë armë automatike të llojit kallashnikov. Pas kësaj, në qershor 2025 u regjistrua procedimi penal dhe u autorizuan përgjime e vëzhgime të fshehta, të cilat zbuluan se aktiviteti kriminal zhvillohej kryesisht përmes aplikacionit të koduar “Signal”.
Në kuadër të hetimit, autoritetet realizuan blerje të kontrolluara të armëve në janar 2026, duke dokumentuar shitjen e një pistolete dhe të një arme gjysmë automatike, si dhe tentativën për shitjen e disa armëve të tjera, njëra prej tyre e pajisur me silenciator.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përdorura nga grupi, Policia sekuestroi armë zjarri, jelekë antiplumb dhe radiomarrëse me mbishkrimin “Bondi”. Prokuroria thekson se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të armëve.
