Gazetari Anri Bala ka shpërthyer me kritika të forta ndaj mënyrës se si po funksionon drejtësia e re, duke e cilësuar selektive dhe të padrejtë në trajtimin e zyrtarëve të lartë. I ftuar në një intervistë televizive, Bala u ndal veçanërisht te rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se është e përfshirë në afera dhe skandale serioze, por vijon të mbrohet nga një “heshtje institucionale”.
Sipas tij, SPAK ka gabuar në disa raste kyçe, duke vepruar me ashpërsi ndaj zyrtarëve të vegjël, ndërsa për figurat e pushtetit të lartë ka ngurrim dhe zvarritje. Bala theksoi se Balluku gëzon imunitet institucional si ministre dhe deputete, çka sipas tij po përdoret si justifikim për mosveprim konkret.
Duke folur për sistemin e paraburgimit, gazetari vuri në dukje se Shqipëria ka një nga përqindjet më të larta në Europë, deri në 75%, fakt që sipas tij tregon një drejtësi që ndëshkon lehtë të dobëtit dhe heziton përballë të fortëve.
Ai shtoi se pezullimi i zyrtarëve të dyshuar për korrupsion në vende si Gjermania apo Danimarka është praktikë normale, por në Shqipëri konceptet ligjore ngatërrohen qëllimisht për të mbrojtur pushtetin.
Sipas Balës, kryeministri Edi Rama po pret vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Strasburgut për të ndërtuar një narrativë politike, ndërsa drejtësia, në vend që të godasë “elefantët”, po merret me “qimet e kashtës”. Në këtë situatë, rasti Balluku mbetet simbol i një drejtësie që flet fort për të vegjlit dhe hesht për të mëdhenjtë.
