Policia ka zhvilluar një operacion të gjerë në dy qytete, Durrës dhe Tiranë, për zbatimin e masave të sigurisë që lidhen me çështjen e mbetjeve të kompanisë “Kurum”. Operacioni është realizuar nga strukturat e policisë në bashkëpunim mes dy drejtorive vendore, pas vendimeve të marra nga gjykata.
Sipas informacioneve zyrtare, janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë aferë. Prej tyre, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 të tjera “arrest shtëpie”.
Hetimet lidhen me kontejnerët e mbetjeve dhe dyshimet për shkelje të rënda ligjore në menaxhimin dhe trajtimin e tyre. Autoritetet bëjnë me dije se operacioni është ende në vijim dhe se priten detaje të tjera lidhur me rolet konkrete të personave të përfshirë.
Kjo çështje konsiderohet një nga dosjet më të ndjeshme që lidhet me krimet mjedisore dhe abuzimet me mbetjet industriale në vend.
