Situata në Kuvend u tensionua ndjeshëm gjatë seancës plenare, pas një përplasjeje mes deputetit të Partisë Demokratike, Blendi Himçi dhe drejtueses së seancës, Klodiana Spahiu.
Himçi kërkoi fjalën për replikë, por kjo iu refuzua nga drejtuesja e seancës, e cila vendosi t’ia ndërpresë mikrofonin. Pas këtij vendimi, deputeti demokrat u ngrit nga vendi dhe iu drejtua foltores, duke shkaktuar tensione në sallë.
Në këto momente, Garda e Republikës ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa debati verbal vijoi mes palëve. Për shkak të kaosit të krijuar dhe përplasjeve në sallë, drejtuesja e seancës vendosi të ndërpresë punimet e Kuvendit, duke shpallur një pushim 5-minutësh.
Seanca u pezullua mes zhurmës, protestave dhe tensioneve politike, ndërsa situata mbeti e ndezur edhe pas ndërhyrjes së Gardës.
