Debatet për Reformën Territoriale kanë shpërthyer në Kuvend, ku deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, akuzoi mazhorancën për imponim të njëanshëm dhe shkelje të rregullores parlamentare. Nga foltorja, Boçi deklaroi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve dhe se mbledhjet e komisionit janë thirrur në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, komisioni i posaçëm për Reformën Territoriale nuk mund të mblidhet pa dakordësinë e kryesisë, e cila përbëhet nga dy bashkëkryetarë. Boçi theksoi se mbledhja e thirrur është “nul” dhe se çdo vendim i marrë në këto kushte është i pavlefshëm.
Ai e cilësoi ultimatum turpërues mënyrën se si mazhoranca po përdor shumicën e votave për të kontrolluar procesin dhe për të përjashtuar opozitën nga vendimmarrja. “I morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse jo?”, ironizoi Boçi.
Deputeti demokrat akuzoi mazhorancën se po kërkon ta kthejë opozitën në noter të vendimeve të saj dhe se reforma territoriale e mëparshme “e copëtoi Shqipërinë”. Ai paralajmëroi se opozita nuk do të pranojë imponime dhe se do ta çojë betejën edhe jashtë Kuvendit.
“Ne do t’u japim qytetarëve opsionin tonë, por jo me shumicën e imponuar nga ju. Nuk jemi noterët tuaj”, përfundoi Boçi.
