Ndërsa Prokuroria e Posaçme po pret miratimin e Këshillit të Mandateve për të vijuar me procedurat për arrestimin e saj, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duket se po shfrytëzon çdo minutë në detyrë për të kryer emërime strategjike dhe për të shpërblyer njerëzit e saj të besuar.
Së fundmi, Balluku ka shkarkuar Artan Shkrelin nga posti i drejtorit të Institutit të Ndërtimit dhe ka emëruar në krye të këtij institucioni Persida Shkrepën. Lajmi u bë publik nga vetë zv/kryeministrja përmes rrjeteve sociale, ku e cilësoi emërimin si një hap profesional, duke lavdëruar eksperiencën dhe përkushtimin e saj. Por në realitet, ky vendim shihet si një tjetër lëvizje për të forcuar kontrollin mbi institucione kyçe, në një moment kritik për Ballukun.
Paralelisht, zv/kryeministrja po tenton të vendosë një tjetër person të afërt në krye të Komisionit të Prokurimit Publik. Bëhet fjalë për Irma Drobonikun, e cila, sipas raportimeve, është e përfshirë në të paktën dy çështje nën hetim nga SPAK. Pavarësisht kësaj, emri i saj është propozuar në Kryeministri si kandidate për kryetare të KPP-së, me këmbënguljen e Ballukut. Droboniku njihet edhe për lidhje të afërta shoqërore me Viola Haxhiademin, një tjetër figurë e besuar e zv/kryeministres, e emëruar së fundmi në krye të KESH-it.
“Llokma” për oligarkun Bashkim Ulaj
Në kulmin e përplasjes me drejtësinë, Balluku ka firmosur edhe një tjetër vendim shumë të diskutueshëm në favor të biznesmenit Bashkim Ulaj. Pas koncesionit të shumëdebatuar të rrugës Thumanë–Kashar, më 16 janar 2026 ajo ka dhënë lejen e ndërtimit për resortin turistik “Blue Borgo” në zonën e Baks Rrjollit, pranë Velipojës, një projekt gjigant që shtrihet në rreth 146 hektarë.
Leja është firmosur pas një kalvari 13-mujor hezitimesh nga institucionet shtetërore, për shkak të padive të banorëve të zonës dhe kallëzimeve të depozituara në SPAK për tjetërsim pronash. Ministrat e linjës, veçanërisht ata të Mjedisit dhe Turizmit, kishin shmangur vendosjen e firmës, nga frika e përfshirjes në një hetim penal. Megjithatë, Balluku, pavarësisht akuzave mbi shpinë dhe presionit publik, vendosi ta firmosë lejen në një moment tepër delikat për pozicionin e saj politik dhe ligjor.
Sipas dokumentacionit, projekti parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese, objekte shërbimi me disa kate, struktura social-kulturore dhe një hotel, me një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej mbi 400 mijë metra katrorë. Leja u regjistrua me shpejtësi në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 23 janar 2026, ndërkohë që vëmendja publike ishte e përqendruar te seancat në Kuvend dhe zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese.
Dyshime për pronësinë reale
Resorti “Blue Borgo” rezulton të jetë në pronësi të familjarëve dhe njerëzve të afërt të Bashkim Ulajt, përmes një sërë transaksionesh që sipas burimeve ngjallin dyshime për lëvizje formale me qëllim humbjen e gjurmëve të pronësisë reale. Kompania zhvilluese është regjistruar vite më parë dhe aksionet kanë kaluar disa herë nga një emër te tjetri, përpara se të përfundojnë sërish te rrethi i ngushtë i biznesmenit.
Në një moment kur SPAK po këmbëngul për masa shtrënguese ndaj saj, veprimet e Belinda Ballukut po lexohen si sfidë e hapur ndaj drejtësisë dhe si përpjekje për të mbyllur pazare të mëdha, përpara se të humbasë kontrollin mbi pushtetin që ende mban.
