Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër në nisje të seancës plenare të Kuvendit, duke denoncuar mungesën prej muajsh të shërbimit shëndetësor në qendrën shëndetësore të njësisë administrative nr. 5.
Braçe theksoi se situata është alarmante, veçanërisht në kulmin e sezonit të gripit, ndërsa mijëra banorë të zonës kanë mbetur pa shërbim bazë shëndetësor.
“Kam paraqitur kërkesë për pyetje-përgjigje me ministren, lidhur me mosfunksionimin e qendrës shëndetësore në njësinë nr. 5. Jemi në pikun e gripit dhe njerëzit nuk marrin shërbim në kohë,” u shpreh deputeti.
Ai theksoi se kërkesa është depozituar që më 19 janar dhe ende nuk ka asnjë reagim konkret, ndërsa sipas tij qytetarët janë pa shërbim prej rreth katër muajsh.
“Nuk pres përgjigje të tipit ‘do ta shohim’. Po hyjmë në muajin e pestë me shërbim shëndetësor të kufizuar. Pyetja është e thjeshtë: kur kthehet funksionale qendra shëndetësore në atë zonë?” – deklaroi Braçe.
Deputeti nënvizoi se situata nuk mund të trajtohet me vonesa administrative, pasi bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve, duke kërkuar përgjigje të drejtpërdrejta dhe zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
