Apeli i Posaçëm po shqyrton sot ankimimet e paraqitura nga të akuzuarit në dosjen e rëndë të abuzimeve me tenderët publikë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një çështje që ka tronditur administratën shtetërore dhe ka vënë nën presion qeverinë.
Në seancën e sotme, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi kanë kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke kërkuar lehtësimin ose shfuqizimin e saj. Të dyja janë nën hetim nga SPAK për shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik.
Ndërkohë, zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, ka ankimuar masën e “pezullimit nga detyra”, ndërsa biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta kërkojnë shfuqizimin e masës së “detyrimit për paraqitje”.
Për të njëjtën dosje, SPAK ka shpallur në kërkim edhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol kyç në skemën e manipulimit të tenderëve.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke dëmtuar rëndë konkurrencën dhe interesin publik.
Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga hetimet më serioze që prek drejtpërdrejt zemrën e administratës shtetërore dhe ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike dhe projektet strategjike të dixhitalizimit.
Vendimi i Apelit të Posaçëm pritet me interes të lartë, pasi do të tregojë nëse drejtësia do të vazhdojë rrugën e hetimit pa kompromis, apo nëse presioni politik do të ndikojë në fatin e kësaj dosjeje që po ekspozon një tjetër skandal të madh qeveritar.
