Detaje të reja kanë dalë nga incidenti i rëndë i ndodhur në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku gjatë një seance gjyqësore ka shpërthyer një përplasje fizike mes të pandehurve.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Armand Bajrami, ngjarja ka ndodhur gjatë seancës paraprake ndaj Petrit Çakrajt dhe vëllezërve Fation, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës në Mat.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi vëllezërit Bushgjokaj kanë akuzuar Petrit Çakrajn se i ka denoncuar dhe ka dhënë informacione kundër tyre. Në këto rrethana, debati verbal ka degraduar në dhunë fizike.
Sipas të njëjtave burime, vëllezërit Bushgjokaj kanë goditur me grushte Petrit Çakrajn, duke e përplasur edhe pas murit të kafazit të sigurisë ku ndodheshin të pandehurit.
Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të sigurisë ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, por gjatë përplasjes janë lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të burgjeve që tentuan të ndanin palët.
Pas incidentit, seanca gjyqësore është ndërprerë, ndërsa ambientet e sallës janë trajtuar si vendngjarje. Autoritetet kanë nisur verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për të dokumentuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Mësohet se materialet procedurale do t’i referohen Komisariatit nr. 3 në Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa pritet të vlerësohet edhe përgjegjësia penale e personave të përfshirë në incident.
Ngjarja ka sjellë ndërprerjen e përkohshme të proceseve gjyqësore në GJKKO, teksa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes.
