Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka hedhur akuza të forta ndaj reformës territoriale të vitit 2014, duke e cilësuar atë si një dështim skandaloz që nuk i shërbeu qytetarëve, por interesave politike të mazhorancës. I ftuar në një studio televizive, Mziu deklaroi se reforma u përdor për të fryrë administratën vendore me militantë partiakë dhe për të ndërtuar një sistem patronazhistësh në të gjithë vendin.
Sipas tij, premtimi i madh i qeverisë për kursimin e 80 milionë eurove nga buxheti i shtetit rezultoi një mashtrim i pastër. Shifrat, tha Mziu, flasin qartë për një realitet krejt të kundërt.
“Para reformës territoriale, pushteti vendor kishte rreth 17 mijë të punësuar. Sot janë mbi 41 mijë. Pra, jo vetëm që nuk u kursyen para, por administrata u trefishua”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat shtoi se situata bëhet edhe më alarmante kur analizohet fondi i pagave, i cili sipas tij është rritur pothuajse pesëfish krahasuar me periudhën kur Shqipëria kishte 373 njësi vendore. Kjo, theksoi Mziu, dëshmon se paratë nuk kanë shkuar për shërbime ndaj qytetarëve, por për të ushqyer një administratë të fryrë artificialisht.
Ai solli si shembull bashkinë e Kamzës, ku numri i punonjësve është rritur nga 376 në vitin 2019 në rreth 2800 sot, duke e cilësuar këtë si provë të qartë të një politike punësimesh klienteliste.
“Paratë nuk kanë shkuar te qytetarët. Kanë shkuar te administrata, dhe kjo nuk është rastësi. Këto struktura janë ndërtuar për patronazhistë,” u shpreh Mziu.
Në vijim të kritikave, ai reagoi ashpër edhe ndaj deklaratave të Taulant Ballës, duke e cilësuar atë një figurë pa lidhje me pushtetin vendor dhe një demagog që, sipas tij, bën deklarata që bien ndesh me realitetin.
“Duke parë Taulantin, shohim një demagog që bën deklarata kontraverse me realitetin. Jo vetëm që nuk pranojnë dështimin, por duan ta thellojnë edhe më tej, duke folur për reduktim ekstrem të bashkive dhe rikthim të centralizimit,” tha ai.
Mziu theksoi se ndërsa vendet e Bashkimit Europian ecin drejt decentralizimit dhe forcimit të pushtetit vendor, në Shqipëri po tentohet e kundërta: përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme.
“Kjo është një logjikë që i shërben vetëm udhëheqësit dhe jo qytetarëve. Dhe kjo e bën reformën territoriale jo thjesht një dështim, por një regres të rrezikshëm për demokracinë vendore,” përfundoi ai.
