Trump përshkallëzon luftën me Harvardin, kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim

Data

Donald Trump ka ndezur sërish konfliktin me Universitetin e Harvardit, duke paralajmëruar se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim, në një përplasje që po shkon përtej debatit politik dhe po shndërrohet në betejë të hapur institucionale.

Lëvizja vjen pasi administrata e tij u tërhoq nga një kërkesë e mëparshme prej 200 milionë dollarësh gjatë negociatave me universitetin. Trump reagoi ashpër, duke akuzuar Harvardin se po manipulon median dhe po fsheh shkelje serioze.

Administrata e tij e ka akuzuar vazhdimisht universitetin se nuk ka vepruar kundër antisemitizmit në kampus, sidomos gjatë protestave pro-palestineze, akuza që Harvardi i ka mohuar kategorikisht. Për Trump, universiteti është kthyer në simbol të asaj që ai e quan ideologji “woke” dhe dominim të së majtës radikale në arsimin e lartë amerikan.

Konflikti u thellua vitin e kaluar, kur Trump bllokoi rreth 2 miliardë dollarë fonde federale për kërkime shkencore. Harvardi reagoi duke paditur qeverinë, duke argumentuar se shteti nuk mund të diktojë se çfarë mësohet, kë punëson apo kë pranon një universitet privat. Një gjykatë federale i dha të drejtë universitetit, duke rrëzuar vendimin e qeverisë.

Megjithatë, Trump nuk u tërhoq. Ai paralajmëroi se do ta apelojë vendimin dhe shkoi edhe më tej, duke deklaruar se nuk dëshiron më asnjë marrëdhënie me Harvardin. Sipas tij, universiteti ka kryer shkelje të rënda ligjore, ndonëse nuk dha detaje konkrete.

Trump ka kërcënuar gjithashtu me heqjen e statusit të përjashtimit nga taksat për Harvardin dhe me marrjen nën kontroll të patentave që burojnë nga kërkime të financuara me para publike.

Ndryshe nga Harvardi, disa universitete të tjera elitare amerikane kanë zgjedhur kompromisin me administratën Trump për të mos humbur financimet federale. Harvardi, në anën tjetër, ka zgjedhur përballjen e drejtpërdrejtë, duke e çuar këtë konflikt në një betejë me pasoja të gjera politike, akademike dhe financiare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related