Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën dëgjimore me nëntë kandidatët e parë që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pas përfundimit të mandateve të gjashtë anëtarëve në fund të vitit 2025.
Gjatë prezantimeve, kandidatët paraqitën vizionet dhe prioritetet e tyre për forcimin e mbikëqyrjes bankare, stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Erjona Bejleri theksoi se mbikëqyrja bankare duhet të fokusohet jo vetëm te treguesit financiarë, por edhe te qëndrueshmëria afatgjatë e modeleve të biznesit të bankave. Sipas saj, kapitali dhe likuiditeti i fortë nuk mjaftojnë nëse përfitueshmëria mbështetet në strategji afatshkurtra apo të përqendruara.
Arben Zibri vuri theksin te forcimi i kuadrit makroprudencial dhe përdorimi i hershëm i indikatorëve paralajmërues. Ai nënvizoi nevojën për rritjen e kreditimit, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si faktor kyç për rritjen e produktivitetit ekonomik.
Matilda Shehu u fokusua te mbrojtja e konsumatorit financiar, duke propozuar krijimin e institucionit të ombudsmanit financiar dhe forcimin e zbatimit të standardeve ESG në sistemin bankar.
Saimir Muçmata theksoi nevojën për standardizimin e informacionit parakontraktor, trajtimin e drejtë të klientëve dhe krijimin e mekanizmave efektivë për trajtimin e ankesave. Ai propozoi ngritjen e një zyre për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve pranë Bankës së Shqipërisë.
Eni Xheko vuri theksin te forcimi i pavarësisë institucionale, transparenca në vendimmarrje dhe përmirësimi i edukimit financiar të publikut.
Emis Cerava u shpreh në favor të nxitjes së kreditimit në sektorët kyç të ekonomisë, si bujqësia dhe turizmi, si dhe për monitorim më të kujdesshëm të financimit të sektorit të ndërtimit.
Fatmira Kola theksoi rëndësinë e rritjes së besimit publik te Banka e Shqipërisë përmes transparencës dhe komunikimit më të hapur me qytetarët.
Aleksandër Çavo vendosi fokusin te forcimi i dimensionit ligjor në mbikëqyrjen bankare, me vëmendje të veçantë ndaj rreziqeve dixhitale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemin bankar.
Adela Karapici propozoi ngritjen e një kurrikule kombëtare për edukimin financiar në sistemin arsimor dhe forcimin e mëtejshëm të pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë.
Tre nga anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës do të propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ndërsa tre të tjerë do të propozohen nga Këshilli i Ministrave.
