Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të paraqiten përpara Kongresit amerikan për të dëshmuar në lidhje me hetimin mbi skandalin e Jeffrey Epstein.
Vendimi i çiftit Clinton vjen pas muajsh refuzimi dhe vetëm pak ditë përpara një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, ku po shqyrtohej mundësia që ata të shpalleshin në shpërfillje të Kongresit, për shkak të mosbashkëpunimit me Komitetin e Mbikëqyrjes.
Hetimi lidhet me rrjetin e trafikimit seksual të drejtuar nga financieri Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019 në rrethana të dyshimta. Bill Clinton ka pranuar më herët se ka pasur njohje personale me Epstein, por ka mohuar çdo përfshirje apo dijeni mbi aktivitetin e tij kriminal, duke deklaruar se kontaktet mes tyre ishin ndërprerë rreth 20 vite më parë.
Burime nga Kongresi bëjnë me dije se presioni politik ndaj Clintonëve ishte rritur ndjeshëm, pasi Komiteti i Mbikëqyrjes, i drejtuar nga republikanët, kishte miratuar muajin e kaluar një rezolutë për t’i shpallur ata në shpërfillje të Kongresit, me mbështetje edhe nga disa ligjvënës demokratë.
Ende nuk është bërë publike data e saktë e seancave dëgjimore, por dëshmia e tyre do të shënojë një moment historik, pasi do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon përpara një komiteti të Kongresit që nga viti 1983.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht mbrëmjen e së hënës nga zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Urena, i cili bëri të ditur se çifti Clinton do të bashkëpunojë me hetimin dhe do të paraqitet për dëshmi.
Dëshmia e tyre pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes një nga skandalet më të errëta dhe më të ndjeshme në historinë e fundit politike amerikane, me pasoja që ende vazhdojnë të tronditin establishmentin në Uashington.
