Partia Demokratike ka zhvilluar edhe këtë të hënë Foltoren e radhës përballë Kryeministrisë, në kuadër të aksionit të saj opozitar kundër qeverisë dhe asaj që e cilëson si kapje të shtetit nga korrupsioni.
Tubimi nisi me fjalët e qytetarëve, të cilët shprehën hapur indinjatën ndaj korrupsionit, keqqeverisjes dhe aferave të shumta, duke e vënë theksin te dosja “Balluku” dhe zhvillimet e fundit që lidhen me drejtësinë. Protestuesit kërkuan ndëshkim për zyrtarët e lartë dhe fundin e pandëshkueshmërisë.
Më pas, në Foltore u bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u prit me brohoritje nga mbështetësit. Prania e tij e ktheu tubimin në një mesazh të drejtpërdrejtë politik kundër qeverisë Rama, duke e konsideruar aferën “Balluku” si simbol të korrupsionit sistemik.
Kjo Foltore vjen pas protestës kombëtare të organizuar më 24 janar, ku mijëra qytetarë dolën në shesh në shenjë kundërshtie ndaj qeverisë. Ajo protestë u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë, ku u përdor edhe gaz lotsjellës.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se aksioni opozitar do të vijojë, me protesta, tubime dhe takime me qytetarët, duke e konsideruar presionin publik si mjetin kryesor përballë asaj që e quan “regjim i korruptuar”.
Foltorja para Kryeministrisë u mbyll pa incidente, por me mesazhe të forta politike dhe thirrje për mobilizim në ditët në vijim.
