“Territorialja”, Balla: Shansi i fundit për PD, ose ndryshojmë formulën e përfaqësimit

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Partia Demokratike ka sot shansin e fundit për t’u përfshirë në punimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale.

Balla theksoi se mungesa e përfaqësuesve të PD-së për tre muaj rresht po bllokon një reformë të rëndësishme dhe paralajmëroi se, nëse opozita vijon bojkotin, mazhoranca do të detyrohet të përdorë mekanizma zhbllokues për të çuar përpara punën e komisionit.

“Shqipëria ka një mandat historik për reformat dhe integrimin europian. Kjo kërkon angazhim maksimal nga të gjitha palët politike. Nuk po bëj ultimatum, por PD ka detyrimin të zbatojë vendimin e Kuvendit dhe të marrë pjesë në këtë komision”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se deputetët e PD-së nuk po lejohen nga drejtuesit e tyre të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, duke e cilësuar këtë një pengesë artificiale për një reformë që synon përmirësimin e shërbimeve publike dhe riorganizimin territorial.

“Shpresoj që sot deputetët e PD-së të jenë të pranishëm në Komisionin e Reformës Territoriale dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Në të kundërt, nesër në seancën plenare do të jemi të detyruar të ndryshojmë formulën e përfaqësimit për të mos e bllokuar procesin”, përfundoi Balla.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related