“Rrugët e reja shemben me shi normal”, Dervishi: Reshjet zbuluan propagandën e qeverisë

Data

Reshjet e fundit të shiut dhe dëborës kanë nxjerrë në pah problematika serioze në infrastrukturën rrugore në vend, me akse të shumta që janë dëmtuar ose bllokuar, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe dëme ekonomike.

I ftuar në një studio televizive, drejtuesi i Departamentit të Transportit dhe Infrastrukturës në Partinë Demokratike, Besnik Dervishi, ka akuzuar qeverinë për dështim në investimet infrastrukturore dhe për përdorim propagandistik të projekteve rrugore.

Sipas Dervishit, reshjet e fundit, të cilat ai i cilëson si normale për sezonin dimëror, kanë shërbyer si një “test real” që ka zbuluar cilësinë e dobët të punimeve dhe kostot e fryra të projekteve të realizuara vitet e fundit.

Ai theksoi se problematika nuk lidhet me motin ekstrem, por me standardet e ndërtimit dhe menaxhimin e fondeve publike. Duke bërë krahasim me periudhën kur Partia Demokratike ishte në pushtet, Dervishi deklaroi se rrugët e ndërtuara në atë kohë vazhdojnë të jenë funksionale edhe sot.

“Rrugët që kemi ndërtuar ne nuk kanë pësuar shembje, çarje apo deformime dhe janë realizuar me një kosto katër ose pesë herë më të ulët se rrugët që ndërtohen sot”, u shpreh ai.

Dervishi solli si shembull aksin Qukës–Qafë Plloçë, i inauguruar këtë verë, i cili sipas tij u bllokua pas reshjeve të para normale, jo vetëm në një segment, por në disa pjesë të tij.

Ai shtoi se pothuajse të gjitha akset malore dhe kodrinore janë bërë të pakalueshme nga ngricat apo bora, jo për shkak të kushteve ekstreme, por për mungesë të mirëmbajtjes dhe masave parandaluese.

Në deklaratën e tij, Dervishi kritikoi edhe koncesionin e Rrugës së Kombit, duke thënë se pavarësisht kalimit të mirëmbajtjes tek një kompani private, rruga vazhdon të bllokohet që në ngricat e para, duke sjellë aksidente dhe kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Sipas tij, koncesioni nuk ka përmbushur as parashikimet fillestare të institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin edhe përfundimin e segmentit Milot–Rrëshen, një investim që nuk është realizuar.

Deklaratat e Dervishit vijnë në një moment kur infrastruktura rrugore po përballet me kritika të shumta pas përkeqësimit të kushteve atmosferike në disa zona të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related