Një tjetër skandal i rëndë ka shpërthyer në sektorin e shëndetësisë, ku Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, akuzohet për favorizim të hapur në një tender me vlerë 2.2 milionë euro për blerjen e reagentëve të gjakut. Tenderi është dhënë më 26 janar 2026 dhe ka përfituar kompanitë “Evita” sh.p.k., e lidhur me biznesmenin Klodian Allajbeu, dhe “Pegasus” sh.p.k., në pronësi të Janis Karathanos.
Sipas dokumentacionit zyrtar, kontrata është dhënë me vlerë sa 99.99% e fondit limit, një praktikë e përsëritur në tenderët dhe koncesionet e shëndetësisë. Dy kompanitë janë shpallur fituese me nga 50% të vlerës së kontratës secila, ndonëse procedura parashikonte përzgjedhjen e vetëm një operatori ekonomik.
Të dyja kompanitë janë koncesionarë të PPP-ve të Dializës dhe Laboratorëve, kontrata që kapin vlera qindra milionë euro dhe që prej vitesh janë objekt kallëzimesh dhe hetimesh në SPAK për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Skualifikim i ofertës më të ulët dhe ndarje “me pazar” e tenderit
Burime pranë procedurës bëjnë me dije se në garë kishte oferta më të ulëta, të cilat janë skualifikuar, ndërsa tenderi është ndarë mes dy operatorëve të mëdhenj pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar. Rivaliteti mes Klodian Allajbeut dhe Janis Karathanos për përfitimin e kontratës ka përfunduar me ndarjen e saj në mënyrë të barabartë, duke garantuar përfitimin maksimal për të dy palët.
Ky vendim ka ngritur dyshime të forta për manipulim të procedurës dhe shkelje të parimit të konkurrencës së ndershme.
Konflikt i hapur interesi
Skandali thellohet edhe më tej nga fakti se Ministrja Evis Sala rezulton e punësuar si rektore në universitetin privat “Western Balkans University”, institucion në pronësi të grupit të Spitalit Amerikan të Klodian Allajbeut, me një pagë mujore të raportuar rreth 15 mijë euro. Ky raport pune ngre dyshime serioze për konflikt interesi dhe lidhje direkte mes autoritetit kontraktor dhe përfituesit të tenderit.
Hetime nga SPAK dhe kontrolle në kompaninë “Evita”
Vetëm pak ditë pas dhënies së tenderit, me urdhër të SPAK, forcat e policisë dhe agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle në ambientet e kompanisë farmaceutike “Evita” në Laknas, si dhe në subjekte dhe banesa të tjera në Tiranë. Kontrollet lidhen me hetimet për koncesionet në shëndetësi dhe dyshimet për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Historia e dyshimtë e “Evita”-s
Kompania “Evita” u krijua në vitin 2013 si një biznes i vogël në Berat, por brenda pak vitesh u shndërrua në një nga përfitueset më të mëdha të tenderëve në shëndetësi. Në vitin 2016, ajo u bë pjesë e koncesionit të Hemodializës përmes shoqërisë “DiaVita”, me vlerë rreth 86 milionë euro, ku zbatimi real i kontratës iu besua Spitalit Amerikan të Allajbeut.
Lidhjet mes “Evita”-s dhe rrjetit spitalor të Klodian Allajbeut janë dokumentuar edhe përmes adresave të përbashkëta, administrimit të përbashkët dhe kompanive të tjera të ndërlidhura.
Një skemë që vijon pavarësisht hetimeve
Pavarësisht kallëzimeve dhe hetimeve të hapura, tenderët dhe kontratat milionëshe në shëndetësi vijojnë t’u jepen të njëjtëve operatorë ekonomikë. Rasti i fundit i tenderit 2.2 milionë euro për reagentët e gjakut shihet si dëshmi se pazaret dhe favorizimet në shëndetësi jo vetëm që nuk janë ndalur, por po vazhdojnë edhe më hapur.
