Një 36-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit policor të koduar “Targat”, pasi dyshohet se vidhte targa automjetesh dhe ua shiste personave me precedent penal për kryerjen e veprave kriminale.
Në pranga ka rënë shtetasi E. Q., 36 vjeç, nga Kosova. Ai u kap në flagrancë në zonën e Plazhit në Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “Ford” me targa të vjedhura, në pronësi të një shtetasi shqiptar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan:
- dy palë targa (shqiptare dhe kosovare),
- kaçavida dhe pinca,
- një thikë,
- një palë doreza,
- një maskë (kapuç).
Sipas hetimeve, 36-vjeçari dyshohet se është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura në muajt e fundit në qytetin e Durrësit. Dyshohet gjithashtu se targat ua shiste personave me precedent penal për t’i përdorur në krime kundër personit dhe pronës.
Materialet e sekuestruara janë marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Dosja do t’i referohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”.
