Një 46-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Në pranga ka rënë shtetasi Gjergj Goli, 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në përshtatjen e dy ambienteve banimi për kultivimin e kanabisit në kushte indoor, përmes përdorimit të llambave dhe pajisjeve elektrike.
Sipas policisë, nga këto dy ambiente, disa javë më parë janë sekuestruar 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis, si dhe 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar 46-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
- “Kultivimi i bimëve narkotike”
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
- “Vjedhja e energjisë elektrike”, kryer në bashkëpunim
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
