‘Duan rritje rroge deri në 3000 euro’, Rama: Gjykatësit kërkojnë të imponohen mbi parlamentin dhe qeverinë

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesave të disa gjyqtarëve për rritje të pagave, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe jashtë çdo logjike institucionale. Në një video-live në rrjetet sociale, Rama deklaroi se gjyqtarët po përpiqen të vendosin veten mbi pushtetet e tjera, duke kërkuar që pagat t’i caktojnë vetë.

Sipas tij, situata ka arritur në një pikë shqetësuese, ku “gjykatësit janë vetë zot dhe vetë shkop”, ndërsa kërkesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese tregojnë, siç u shpreh ai, një mungesë serioze arsyetimi dhe përgjegjësie nga ana e atyre që japin drejtësi.

Rama theksoi se pagat aktuale të gjyqtarëve në Shqipëri janë të krahasueshme me ato të gjyqtarëve në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe janë dukshëm më të larta se pagat e gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Ai rikujtoi se me reformën në drejtësi, gjyqtarët jo vetëm që përfituan rritje të konsiderueshme pagash, por edhe pavarësi të plotë në vendimmarrje.

Kryeministri e cilësoi si absurde kërkesën për rritje pagash nga 1800 euro për gjyqtarët e shkallës së parë, 2000 euro për ata të Apelit dhe deri në 3000 euro për gjyqtarët e strukturave speciale, duke shtuar se një rritje e tillë do t’i vendoste ata mbi presidentin dhe mbi drejtuesit e institucioneve të tjera shtetërore.

Ai vuri në dukje se gjyqtarët e SPAK-ut nuk i janë bashkuar kësaj nisme, gjë që sipas tij meriton respekt, ndërsa paralajmëroi se kërkesa aktuale synon të krijojë një precedent të rrezikshëm ku një pushtet përpiqet të imponohet mbi parlamentin dhe qeverinë.

Në përfundim, Rama shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos e miratojë këtë kërkesë, duke e cilësuar atë si një “njollë të madhe turpi” për vendin dhe për sistemin e drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related