Italia është përfshirë nga trazira të dhunshme pas përplasjeve serioze që shpërthyen të shtunën në qytetin e Torinos, gjatë një proteste kundër mbylljes së qendrës kulturore të krahut të majtë “Askatasuna”. Ngjarjet degjeneruan shpejt në dhunë masive, ku dhjetëra efektivë policie mbetën të plagosur dhe disa protestues u arrestuan.
Protesta nisi pas vendimit të autoriteteve për të liruar godinën e Askatasuna-s, e cila sipas shtetit ishte uzurpuar në mënyrë të paligjshme prej vitesh. Ndërhyrja e policisë u pasua nga përplasje të ashpra, ku protestuesit përdorën mjete piroteknike, fishekzjarre, shishe dhe sende të forta, ndërsa u raportuan edhe akte zjarrvënieje dhe sulme të organizuara ndaj forcave të rendit, përfshirë një automjet të blinduar të policisë.
Kryeministrja Giorgia Meloni reagoi me tone shumë të forta, duke e cilësuar situatën “serioze dhe të papranueshme”. Ajo theksoi se dëbimi ligjor i një prone të uzurpuar u përdor si pretekst për nxitjen e dhunës dhe sulmeve të drejtpërdrejta ndaj shtetit. Sipas saj, pamjet e policëve të sulmuar dëshmojnë qartë se nuk bëhej fjalë për protestë paqësore.
“Këta nuk janë protestues, por individë që veprojnë si armiq të shtetit,” deklaroi Meloni, duke shtuar se forcat e rendit u përballën me atë që ajo e përshkroi si “luftë të vërtetë guerile urbane”. Ajo shprehu solidaritet të plotë me policinë, gazetarët e sulmuar dhe qytetarët që pësuan dëme materiale.
Kryeministrja akuzoi gjithashtu klimën e pandëshkueshmërisë për përshkallëzimin e dhunës dhe u bëri thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë me vendosmëri. “Mbrojtja e ligjshmërisë nuk është provokim, është detyrë. Shteti nuk tërhiqet përballë dhunës së revolucionarëve të rremë,” theksoi ajo.
Ngjarjet në Torino kanë rihapur debatin në Itali mbi ekstremizmin politik, uzurpimin e pronave publike dhe kufirin mes protestës dhe dhunës, ndërsa qeveria paralajmëron masa më të forta për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
