Shembja e një shpati shkëmbor në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës ka mbajtur të bllokuar për më shumë se tetë orë mijëra qytetarë në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe shqetësim për sigurinë e udhëtarëve.
Për situatën e krijuar ka reaguar drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, i cili ka deklaruar se rrëshqitja e masivit shkëmbor është pasojë e faktorëve natyrorë dhe nuk lidhet me punimet që po kryhen në këtë segment rrugor.
Sipas Kozelit, shkaku kryesor i shembjes është mbingopja e malit me ujë, çka ka sjellë destabilizimin e shpatit dhe rënien e materialeve në rrugë.
“Është konstatuar edhe me sy të lirë se mali është i mbingopur nga uji. Shembja e shpatit ka ardhur si pasojë e këtij fenomeni natyror dhe nuk ka lidhje me punimet që po zhvillohen në këtë aks,” deklaroi ai, duke mohuar ndikimin e mjeteve të rënda dhe ndërhyrjeve ndërtimore në zonë.
Drejtori i ARRSH theksoi se, megjithëse trasa e re rrugore kalon mbi malin ku ndodhi rrëshqitja dhe në terren operojnë çdo ditë mjete të rënda, këto punime nuk kanë ndikuar në destabilizimin e masivit shkëmbor.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë punën për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e zonës së prekur, ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore po orientojnë drejtuesit e mjeteve drejt akseve alternative në drejtim të Elbasanit dhe Korçës.
Situata mbetet e vështirë, por sipas autoriteteve pritet që qarkullimi të normalizohet gradualisht në orët në vijim, në varësi të kushteve të terrenit dhe përfundimit të ndërhyrjeve teknike.
