Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas shembjes së masivit shkëmbor në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, në zonën e Dragostunjës, ngjarje që bllokoi për orë të tëra qarkullimin dhe vuri në rrezik jetën e mijëra qytetarëve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Blushi e cilëson situatën si pasojë direkte të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të qeverisë, duke hedhur poshtë justifikimet që, sipas tij, pushteti përpiqet t’ia faturojë “forcave natyrore”.
“Rrugë që shemben, para që vidhen. Edhe fajin ia hedhin Zotit. ‘Punë Zoti’, thonë. Jo! Zoti nuk vjedh! Edi Rama po”, shprehet Blushi në reagimin e tij.
Ai thekson se shembja e rrugëve nuk është pasojë e fatkeqësive natyrore, por e vjedhjes së fondeve publike dhe mungesës së standardeve në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Sipas tij, situata e krijuar në Dragostunjë është një pasqyrë e qartë e degradimit të shtetit dhe e rrezikut real që u kanoset qytetarëve çdo ditë.
“Kur korrupsioni shemb gjithçka dhe vë në rrezik jetën e njerëzve, atëherë shembja e qeverisë bëhet domosdoshmëri ulëritëse”, përfundon Blushi.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur aksidenti në Dragostunjë ka shkaktuar indinjatë të gjerë publike, për shkak të bllokimit të gjatë të qarkullimit, rrezikimit të ambulancave, fëmijëve dhe të moshuarve, si dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale për sigurinë rrugore.
