Një rritje e pazakontë e nivelit të detit është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar shqetësim mes peshkatarëve dhe banorëve të zonës bregdetare.
Sipas dëshmive nga terreni, rreth orës 02:45, niveli i ujit ka pësuar një ngritje të menjëhershme, duke avancuar drejt tokës dhe duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit. Varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të rritjes së shpejtë të nivelit të detit, ndërsa në disa raste uji ka hyrë edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke rrezikuar pajisjet dhe mjetet e punës.
Peshkatarët shprehen se ky fenomen ka qenë dukshëm më i fortë se baticat e zakonshme dhe se nuk kujtojnë të kenë parë më parë një rritje të tillë në këtë formë dhe intensitet. Sipas tyre, nëse situata përsëritet ose vijon, ekziston rreziku që uji të dalë në rrugë, duke shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi në qarkullim.
Një tjetër element shqetësues është fakti se në disa zona janë konstatuar peshq të dalë në tokë, fenomen që zakonisht shoqëron detin e trazuar ose ndryshime të forta dhe të menjëhershme të nivelit të ujit.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e kësaj rritjeje të pazakontë, ndërsa peshkatarët kërkojnë vëmendje dhe monitorim të situatës për të shmangur rreziqe të mundshme në ditët në vijim.
