Ka nisur grumbullimi i qytetarëve para Kryeministrisë në kuadër të protestës kombëtare të thirrur nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”. Protesta pritet të nisë zyrtarisht në orën 18:00 dhe shënon tubimin e katërt radhazi të organizuar nga kjo lëvizje.
Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit po bashkohen gradualisht në shesh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar një protestë paqësore, me fokus denoncimin e korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.
Më herët, drejtuesi i lëvizjes, Adriatik Lapaj, së bashku me mbështetësit e tij, ka zhvilluar protesta të vazhdueshme përpara Kryeministrisë, pas skandalit të lidhur me zv/kryeministren Belinda Balluku. Protestat e mëparshme janë shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale, por pa incidente të rënda.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta e sotme synon të përcjellë një mesazh të qartë kundër pandëshkueshmërisë dhe kapjes së institucioneve, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale.
Në zonë janë të pranishme forca të shumta policie, ndërsa situata deri më tani paraqitet e qetë.
