Gripi i këtij sezoni po shfaqet më agresiv se vitet e kaluara, duke rritur ndjeshëm numrin e urgjencave dhe shtrimeve në spitale. Fundi i muajit janar ka shënuar pikun e qarkullimit të gripit dhe virozave respiratore në popullatë.
Çdo ditë, mbi 100 pacientë paraqiten në shërbimin infektiv të QSUT-së me komplikacione të shkaktuara kryesisht nga gripi AH3N2 dhe nën-tipe të tjera që janë aktualisht në qarkullim. Sipas mjekëve, rreth 40% e rasteve që paraqiten në urgjencë kanë nevojë për shtrim në spital, kryesisht për shkak të bronkopneumonive dhe komplikacioneve respiratore.
Mjekët infeksionistë theksojnë se bronkopneumonia është shqetësimi kryesor i këtyre ditëve, pasi prek pacientë të të gjitha grupmoshave dhe kërkon kujdes të shtuar mjekësor. Në shumë raste, hospitalizimi është i domosdoshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Në shërbimin infektiv paraqiten pacientë nga të gjitha moshat, por më të rrezikuar janë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, për shkak të mbivendosjes së problemeve shëndetësore. Ndërkohë, fluksi i vizitave në urgjencën e pediatrisë është edhe më i lartë gjatë kësaj periudhe.
Pediatrit bëjnë me dije se jo të gjitha rastet janë emergjente. Shumë prindër i drejtohen spitalit edhe për temperaturë të lartë që zgjat disa ditë, pa u konsultuar më parë me mjekun e familjes. Kjo praktikë, sipas mjekëve, mbingarkon shërbimet spitalore dhe rrit rrezikun që fëmijët të ekspozohen ndaj virozave të tjera brenda ambienteve spitalore.
Përveç gripit, tek fëmijët po qarkullon edhe virusi respirator sincicial, si dhe viroza të tjera sezonale. Paralelisht, janë rikthyer edhe raste të fruthit, sidomos në Tiranë, si pasojë e rënies së nivelit të vaksinimit.
Mjekët paralajmërojnë se muaji shkurt pritet të nisë me rritje të mëtejshme të rasteve të gripit dhe infeksioneve respiratore, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
