Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare aktori dhe pedagogu i njohur Fitim Makashi, një emër i rëndësishëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si dhe babai i artistit Redon Makashi.
Fitim Makashi ka interpretuar në dhjetëra role në teatër dhe film, duke lënë gjurmë të rëndësishme në artin skenik shqiptar. Përveç karrierës si aktor, ai ka qenë për shumë vite edhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku ka kontribuar në formimin e brezave të rinj të aktorëve.
Ai lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër dhe nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1963, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Për një periudhë të gjatë punoi si pedagog, ndërsa njëkohësisht ishte i angazhuar edhe në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Zyrtarisht, në vitin 1978 u emërua aktor i këtij teatri, ku vijoi karrierën artistike për rreth 12 vite, deri në mesin e viteve ’90.
Në skenën e teatrit, Fitim Makashi realizoi një sërë rolesh të spikatura, ndër të cilat kujtohen: Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa”, si dhe Filipoviç në shfaqjen “Inspektori”, që mbeti edhe roli i tij i fundit në teatër.
Karrierën në kinematografi e nisi që në vitin 1967 me një rol episodik në filmin “Dueli i heshtur”, duke vijuar më pas me pjesëmarrje në filma të njohur si “Prita”, “Njësiti gueril”, “Ndërgjegjja”, “Rugicat që kërkonin diell”, “Ilegalët”, “Intendenti”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Tre njerëz me guna”, “Shpella e piratëve” dhe “Vdekja e kalit”.
Ndarja nga jeta e Fitim Makashit është një humbje e madhe për artin shqiptar, për kolegët, studentët dhe publikun që e ndoqi dhe e vlerësoi për dekada me radhë.
